Propozohen ndryshimet e emrave, por jo edhe "Vuk Karaxhiq" (Dokument)
Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Bujanocit në rend dite pati edhe propozim vendimin mbi ndryshimin e emërtimit të rrugëve dhe shesheve, por jo edhe të sheshit e shtëpisë së kulturës "Vuk Karaxhiq", që pozita e sotme, dikur në opozitë, kërkonte të mbajë emrin e Fan Stilian Nolit.Në ndërtesën e administratës komunale të Bujanocit, të përzgjedhurit e popullit, në seancën e tetë me radhë, ndër të tjera diskutuan rreth propozimit për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve, pikë kjo e cila hapi debat mes këshilltarëve opozitar dhe të pozitës.
Përveç propozimeve të paraqitura për emërtim të rrugëve në qytetin e Bujanocit, opozita doli me propozim edhe për ndryshimin e emërtimit të sheshit “Karagjorgje Petroviq” në Ridvan Qazimi, por si duket Komisioni i përbërë nga këshilltarë shqiptarë e serbë nuk kishte rënë dakord rreth këtij ndryshimi.
Në këtë mbledhje nuk pati propozim edhe rreth ndryshimit të emrit të shtëpisë së kulturës “Vuk Karaxhiq”, që e ndanë vetëm rruga nga ndërtesa e administratës komunale, raporton Titulli.
Dikur në opozitë, tani udhëheqëse e pushtetit në Bujanoc, Partia Demokratike (PD) kishte propozuar emrin Fan Stilian Noli për emër të ri të shtëpisë së kulturës.
Hajredin Hyda, këshilltarë, në atë kohë udhëheqës i grupit të këshilltarëve të PD-së, kishte deklaruar se “tani janë plotësuar të gjitha kushtet procedurale që Kuvendi Komunal të fillojë procedurën zyrtare e ndryshimit të emrave të rrugëve të qytetit nga ato serbe në shqiptare”.
Në këtë iniciativë, përveç emrit për shtëpinë e kulturës, ai kishte propozuar edhe “Skënderbeun” për rrugën “Zhivojin Mishiq” që edhe sot mbanë këtë emër.
Ky propozim i 6 tetorit të vitit 2011, me propozime tjera, ishte miratuar nga Komisioni shtatë anëtarësh, i cili më pas ishte hedh poshtë nga Ministria e Vetadministrimit Lokal në Beograd.
Partisë për Veprim Demokratik, që atë kohë drejtonte me Komunën e Bujanocit, kjo i kushtoi me prishje koalicioni, ku menjëherë pas këtij vendimi, Stojança Arsiq kishte deklaruar “Që sot, asgjë nuk është si më parë në Bujanoc. Koalicioni më nuk ekziston”.
Në qytetin e Bujanocit, nga rreth 80 rrugë dhe lagje sa janë të emërtuara, vetëm një mban emrin e shqiptarit Ramiz Sadiku./Titulli.com/